Çfarë është SRK-ja, mënyra e diagnostifikimit dhe trajtimit të kësaj sëmundje

Sëmundja Renale Kronike (SRK) nënkupton një dëmtimin kronik dhe progresiv të veshkave. Ky dëmtim zhvillohet në mënyrë të ngadaltë dhe të fshehtë, çka sjell që shpesh të sëmurët të diagnostikohen në një stad të avancuar të sëmundjes. Në një numër të konsiderueshëm të rasteve nuk është e mundur të përcaktohet se kush është shkaku i kësaj sëmundje. Një person mund të ketë dëmtim të veshkave shumë vite përpara se të jetë i nevojshëm fillimi i trajtimit me dializë apo transplant. Sëmundje të tjera shoqëruese si diabeti, presioni i lartë i gjakut apo infeksionet e përsëritura të rrugëve urinare mund të jenë shkaku i sëmundjes renale.

Një veçori e rëndësishme e kësaj sëmundje është dëmtimi progresiv i veshkave edhe kur është e mundur të përcaktohet shkaku dhe të trajtohet sëmundja bazë. Në shumë të sëmurë, edhe pse veshkat janë të dëmtuara, ato mund të vazhdojnë të prodhojnë urinë, por efikasiteti i tyre në eleminimin e toksinave nga gjaku, si p.sh. të uresë, është i dëmtuar. Për këtë arsye, këto substanca, do të vazhdojnë të qarkullojnë dhe të grumbullohen në organizëm. Prandaj nuk mund të vlerësohet funksioni i veshkës vetëm nëpërmjet sasisë së urinës së prodhuar. Disa të sëmurë edhe në stade shumë të përparuara të sëmundjes apo edhe në dializë mund të vazhdojnë të prodhojnë një sasi urine. Në rastet kur dëmtimi i funksionit të veshkës avancon shumë bëhet i nevojshëm fillimi i terapisë renale zëvëndësuese me dializë apo transplant.

1. Diagnostikimi dhe vlerësimi i funksionit të veshkës do të ndihmojë për ndjekjen dhe fillimin e mjekimit me qëllim ngadalësimin e dëmtimit të funksionit të saj. Egzaminimet e nevojshme janë:

  • Matja e presionit arterial;
  • Analiza e urinës
  • Analizë e gjakut komplet;
  • Analizë gjaku për matjen e nivelit të kreatinemisë;
  • Matja e filtracionit glomerular apo GFR që tregon nivelin e funksionit të veshkës;
  • Ekografi e aparatit urinar;

Proteinat janë substanca që normalisht nuk eliminohen me urinë. Në rastet kur veshkat janë të dëmtuara atëherë proteinat apo albumina kalojnë në urinë. Prania persistente e albuminës në urinë mund të jetë një shenjë e hershme e dëmtimit të veshkave.

Ekografia e aparatit urinar identifikon madhësinë dhe formën e veshkës, praninë ose jo të bllokimit të rrugëve urinare, gurët në veshka apo tumore të aparatit urinar.

Sëmundja Renale Kronike dhe Hemodializa