Përcaktimi i stadit të SRK
Filtracioni glomerular apo GFR përdoret për të treguar se cili është niveli i dëmtimit të funksionit të veshkave. Sa më shumë avancon sëmundja aq më shumë ulet GFR.
| Stadi | Dëmtimi | GFR (ml/min/1.73 m2) |
|---|---|---|
| 1 | Dëmtim i veshkave me GFR normal | mbi 90 |
| 2 | Dëmtim i veshkave me ulje të lehtë të GFR | 60-89 |
| 3 | Ulje e moderuar e GFR | 30-59 |
| 4 | Ulje e theksuar e GFR | 15-29 |
| 5 | Insufiçiencë e veshkave | nën 15(dializë apo tx) |
GFR tregon sesi veshkat po e filtrojnë gjakun:
- GFR mbi 60 tregon një funksion normal të veshkave
- GFR nën 60 tregon praninë e sëmundjes renale
- GFR nën 15 tregon praninë e insufiçiencës renale dhe fillimi i terapisë renale zëvëndësuese me dializë apo transplant është i domosdoshëm.
Trajtimi i sëmundjes do të varet nga stadi në të cilin është pacienti si dhe nga prania ose jo e sëmundjeve të tjera shoqëruese. Ndjekja dhe trajtimi që në stadet e para mund të parandalojë ose të ngadalësojë progresionin e SRK në stadin e insufiçiencës së veshkës, stad në të cilin fillimi i dializës është i nevojshëm.
Sëmundja Renale Kronike stadi 1-2
Në këtë stad të sëmundjes mundet që pacienti të mos ketë shenja specifike. Në analizën e gjakut mund të vërehet një rritje e lehtë e nivelit të kreatinemisë.
Në analizën e urinës mund të vërehet prania e albuminës apo e rruazave të kuqe që mund të sugjerojë për praninë e një sëmundje në veshka.
Trajtimi në këtë stad të sëmundjes mund të konsistojë në pakësimin e proteinave në dietë, dhe në disa raste në përdorimin e medikamenteve që ulin presionin e gjakut.
Anemia shfaqet rrallë në këtë stad të sëmundjes
Sëmundja Renale Kronike stadi 3-4
Në këtë stad mundet që pacienti të ndihet apo të vuajë nga shqetësimet e mëposhtme:
- Rritje të nivelit të kreatinemisë;
- Lodhje;
- Enjtje në duar, këmbë, apo përreth syve;
- Pakësim të oreksit;
- Ngadalësim të tretjes së ushqimit;
- Ndryshim në sasinë, ngjyrën dhe shpeshtësinë e urinimit;
- Vlera të larta të presionit të gjakut.
Në këtë stad është shumë e rëndësishme të respektohet dieta e rekomanduar (pakësim i proteinave, përdorimi i ushqimeve që përmbajnë pak kalium, fosfor, dhe kripë). Për trajtimin e presionit arterial në këtë stad të sëmundjes shpesh është i nevojshëm përdorimi i më shumë se një medikamenti antihipertensiv. Medikamente të tjera si Rocaltrol, Ketosteril apo medikamente që lidhin fosforin si kalçiumi mund të rekomandohen nga mjeku. Në këtë stad duhet të fillohet terapi renale zëvëdësuese: hemodializë, dializë peritonale apo transplant të veshkës.
Nëse rekomandohet fillimi i hemodializës nga mjeku atëherë do të përgatitet pacienti për kirurgjinë e fistulës artero-venoze. Rekomandohet që fistula të bëhet disa muaj përpara se të fillojë trajtimi me hemodializë në mënyrë që ajo të ketë kohë të zhvillohet përpara se të fillojë hemodializa. Nëse është e nevojshme të fillohet hemodializa më përpara se çfarë ishte planifikuar, mund ta fillojmë atë me kateter dhe jo me fistul.
Sëmundja Renale Kronike stadi 5
Funksioni i veshkës në këtë stad të sëmundjes është afërsisht 10-15%. Shenjat klinike në këtë stad:
- Anemi;
- Dhimbje koke;
- Lodhje;
- Të përziera, të vjella, pakësim të oreksit;
- Etje për ujë;
- Ngërçe të muskujve;
- Urinim të shpeshtë gjatë natës;
- Kruarje;
- Vlera të larta të presionit arterial;
- Edema;
- Ndryshime të ciklit menstrual;
- Pakësim të sasisë së urinimit.
Në këtë stad të sëmundjes është e nevojshme fillimi terapisë renale zëvëndësuese, hemodializë, dializë peritoneale apo transplant të veshkës.
