Qendra e re e hemodializës në Vlorë
13/06/2016
Qendra e re e hemodializës në Lezhë
19/10/2016

Qendër e re e hemodializës në Shkodër

Shërbimi i hemodializës, një proçes jetik për pacientët që duhet ta kryejnë atë, ofrohet tashmë dhe në Shkodër. Qendra e dytë e re e hemodializës në Shkodër hapet pas asaj të Vlorës, për të vijuar edhe në qytete të tjera, duke lehtësuar për qytetarët barrën e shpenzimeve dhe kursyer kohën e udhëtimit dhe mundimin për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Qendra e re e hemodializës, investim i partneritetit publik privat ofron një shërbim bashkëkohor, me aparatura dhe teknologji moderne, me kapacitet të zgjeruar, e gatshme për të pritur pacientët, numri i të cilëve është në rritje, pasi tendenca e kësaj sëmundje është e tillë në këtë qytet.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj vizitoi Qendrën, ku u takua me stafin mjekësor dhe pacientët që po merrnin shërbimin, te cilin e vlerësuan “një lehtësim të jashtëzakonshëm”. Mjekët pohuan se falë shtimit të kapaciteteve përballohet me sukses dhe fluksi i pacientëve, pasi përmirësimi i kushteve të punës është cilësi në shërbimin ndaj të sëmurëve

Problemi i këtyre njerëzve që janë torturuar ndër vite, duke u detyruar të lëvizin drejt qyteteve të tjera për të marrë këtë shërbim tre herë në javë, do të zgjidhet në rang Shqipërie. Kjo është qendra e dyta, do të vazhdojmë me Korçën, Lezhën dhe Elbasanin.